Edmond Hasanbelliu është prej më se dy dekadash në futbollin shqiptar dhe e di mirë eksperiencën e një turneu me ndeshje kthimi. Janë luajtur vetëm 90 minuta dhe në kthim mund të ndodhë gjithçka.

Presidenti i Teutës, teksa përgatiti skuadrën që të shijojë suksese edhe në Europë, pas triumfit në Kategorinë Superiore, gjendet i papërgatitur kur skuadra e tij pëson dy gola edhe pse krijon volum loje dhe disa raste për shënim.

Presidenti i Teutës, tregon emocionet menjëherë pas humbjes nga skuadra e Andorrës Inter Club d’Eskaldes.

Sipas tij është për të ardhur keq mënyra e pësimit të golave dhe fakti që skuadra nuk shfrytëzon lojën dhe rastet që krijon. Por, s’e humb besimin.

Teuta humb përballë një skuadre nga Andorra. Sa keqardhje keni?

Më vjen shumë keq, ishte një ndeshje që duhet të kishte një rezultat tjetër. Ne i kishim rastet tona, por nuk i shfrytëzuam.

Për çfarë ju vjen më së shumti keq?

Që humbim këtë ndeshje. Nuk e kish menduar. Besoja te skuadra dhe djemtë që do t’ia dilnin mbanë. I krijuan edhe rastet, por pësuan dy herë.

Sipas jush, ka më shanse Teuta për kualifikim?

Ne do të provojmë gjithçka për gjithçka. Do të bëjmë gjithçka mundemi për t’u kualifikuar. Tani nuk kemi çfarë të humbim më.