Një vatër zjarri është shfaqur pasditen e sotme në Malin e Moravës, në territorin e Bashkisë Devoll. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre, barishte, ah me bimësi të shkurtër dhe një pjesë me lajthi.
Pavarësisht ndërhyrjeve të forcave zjarrfikëse dhe vullnetarëve, situata mbetet e vështirë për shkak të erës së fortë që favorizon përhapjen e flakëve.
Aktualisht, në terren po punojnë 7 punonjës të shërbimit zjarrfikës, të cilëve u janë bashkuar edhe banorë të zonës.
Ky zjarr është një nga disa raste të ngjashme që kanë ndodhur në malin e Moravës vitet e fundit. Në disa prej tyre, është dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme nga barinjtë e zonës për hapjen e kullotave.
Në nëntor të vitit 2022, një vatër zjarri u shfaq në të njëjtën zonë, duke përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe bimësi të ulët.
Autoritetet lokale dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për të vënë nën kontroll situatën aktuale dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.