13 maj 2015 – Një traget i linjës Bari – Durrës me afro 300 persona në bord është përshirë nga flakët.

 

Zjarri shpërtheu në  mesnatën e së martës 12 maj rreth orës 24:00, kur trageti ndodhej 7 milje larg portit të Durrësit.

 

Lajmi u konfirmua nga kapiteneria e Portit të Barit, sipas së cilës zjarri kishte rënë në tragetin ‘’Françeska’’ i kompanisë "Adria", i nisur nga Bari rreth orës 23:00 dhe pritej të mbërrinte në Durrës rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar nga ky incident, ku në bord ndodheshin 131 shqiptarë, 50 italianë, 22 persona me shtetësi të ndryshme dhe 54 persona të ekuipazhit.

 

Zjarri është arritur të shuhet gjatë natës dhe rreth orës 07:00 të mëngjesit, trageti ka arritur të hyjë në portin e Barit. Ndërhyrja e menjëhershme ka bërë që zjarri që kishte shpërthyer në dhomën e motorëve të fikej dhe të mos ketë asnjë të lënduar.

 

Kapiteneria e Durrësit ka konfirmuar se pasagjerët e tragetit “Francesca” do të udhëtojnë me tragetin Ankona- Durrës.

 

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/