Një zjarr i fuqishëm është regjistruar këtë të hënë në pikën e grumbullimit të skrapit, në Metalurgjikun e Elbasanit.

Sipas policisë dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë e krijuar si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike në pikën e grumbullimit të skrapit.

Uniformat blu po ashtu bëjnë me dije se fatmirësisht nuk ka të dëmtuar nga flakët.

Njoftimi i policisë:

“Elbasan/Informacion paraprak: Rreth orës 11:15, dyshohet se nga një shkëndijë e krijuar si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike, ka rënë zjarr në një pikë për grumbullimin e skrapit, në zonën e ish-kombinatit metalurgjik, në Bradashesh. Nuk ka shtetas të dëmtuar nga flakët.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe me punonjësit e kompanisë që ka në pronësi pikën për grumbullimin e skrapit, kanë bërë të mundur zhvendosjen e mbetjeve, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe të tymit.

Ndërkaq, grupi hetimor vijon të punojë për të dokumentuar ligjërisht shkakun e zjarrit.