Nga Artur ZHEJI

Në Shqipëri, dukshëm çdo gjë nuk ndryshon. Tashmë as në thelb dhe as në formë. Ose edhe kur ndryshon së jashtëmi, është një ndryshim për të “mosndryshuar” thelbësisht asgjë…

Ka disa ditë që mediat shqiptare u pushtuan nga vendimi që mori Tahiri, ish ministër i brendshëm, për t’u çliruar nga mburoja e imunitetit parlamentar.

Disa thonë që ishte një gjest trimëror prej labi, disa të tjerë mendojnë se ishte, thjesht një hap, në brendësi të një marrëveshjeje, që garanton mosprekjen e tij.

Ndërkohë Opozita shqiptare, pas shpërthimit popullor kuksian, që e shkundi për disa ditë shoqërinë shqiptare, e mbas gëzimit të pafshehur për gjestin e Sajmes, duket se nuk ka ndonjë ditar popullor pune.

Pikëpyetja e madhe është se inaktiviteti politik i Lulëzim Bashës, në lidhje me tubimet e njerëzve, lidhet thjesht me bioritmin e ngadaltë të natyrës së tij, apo është një strategji e tij, e paramenduar?

Një strategji përshembull e “shkollës Fabiane”, që thotë ndër të tjera: “Prit me durim dhe fshehurazi si ujku me lëkurë qingji, çastin e duhur dhe kur çasti mbrrin, vetëm atëhere sulmo fort e pa mëshirë!…”

Për të mirën e Opozitarizmit, do të donim të mendonim, se inaktiviteti ose më saktë aktiviteti i kufizuar i Bashës, lidhet më një doktrinë të caktuar strategjike, përndryshe, hamëndësimet konspirative, janë të lira të harlisen pa kurrfarë filtri.

Tani Basha, e rifitoi mandatin e tij më të ri kongresual dhe e bëri mënjanë përsëri “armikun e brendshëm”.

Çfarë pret sot ai, për të na bërë të ditur “Ditarin e betejave Opozitare”?

Sigurisht korri një fitore të mirë ndërkombëtare me deputetin gjerman Krichbaum, që dukshëm u ka besuar analizave të Bashës, mbi situatën shqiptare, pohuar kjo edhe nga vetë kryeministri, tek tha se: Krichbaum thotë në gjermanisht, ato që mendon Basha…”

Mirëpo njerëzit, gjithmonë e më të shumtë ata, që nuk e durojnë dot më, tiraninë e range rover – ave dhe mercedesëve të shtrenjtë të familjarëve të “pakorruptuar”, të qeveritarëve socialistë: gra, dashnore, djem e vajza dhe dhëndurë të përkëdhelur nga paratë tona, duan aksion opozitar.

Një aksion opozitar që nuk mbërrin nga askund.

Dhe duhet të nxitojnë nëse kanë ndërmend të bëjnë nonjë gjëkafshë, se është të porta Kampionati botëror i Futbollit dhe vapa e nxehtë mesdhetare shqiptare. Pastaj sigurisht është vonë dhe u duhet thënë njerëzve mirupafshim në Tetor.

Apo kështu është paravendosur?

“Të presim ndonjë gafë tjetër të kryeministrit tahmaqar dhe të lakenjve të tij, të famshëm për grykësinë e tyre, që po vendosin rekorde të reja…”/360grade.al/