Gazetari i vjetër nga Durrësi Thanas Mustaqi ka publikuar këtë kartolinë të veçantë me pamje nga Durrësi të 89 viteve më parë.

Kjo kartolinë në ankand on-line është një nga fotot më të bukura nga ana artistike, me pasqyrimin e ndërtesave në ujin e detit. Nisur nga pulla me titullin REPUBLIKA SHQIPTARE, fotoja është e para vitit 1928, kur Republika u shndërrua në Mbretëri”, shkruan Thanasi.

Në kartolinë duket ndërtesa e Bankës së Durrësit, e quajtur në atë kohë Banka Kombëtare e Shqipërisë filiali Durës. Më në thellësi të ndërtesës së bankës është kisha e vjetër ortodokse me këmbanore.

Porti i Durrësit nuk është ndërtuar ende nga kompania italiane Mazzorana, prandaj kemi në kartolinë vetëm një mol prej druri me ndërtesat modeste të doganës dhe të xhandarmërisë në krye të molit. Në sfond majtas në thellësi duket Torra Veneciane me antenat e radiondërlidhjes në tarracë.

Në të djathtë të fotos afër vulës postare duket hangari për avionët hidrovolantë të ndërtuar nga austro-hungarezët gjatë Luftës së Parë Botërore. Pulla postare ka një foto të Ahmet Zogut, President i Republikës.