Skënderbeu kërkon ta mbyllë sezonin sportiv 2017-2018 me trofeun e Kupës së Shqipërisë, që do të jetë 'qershia mbi tortë’ për këtë fushatë të shkëlqyer. Bardhekuqtë kanë bërë një nga edicionet më të mira nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, duke filluar nga përfaqësimi në fazën e grupeve të Europa League ku u përballën me rivalët si të barabarta, për të vazhduar me dominimin në kampionat ku nuk e diskutuan titullin për asnjë moment. Kupa është trofeu i vetëm që Skënderbeu nuk e ka fituar gjatë dominimit në dekadën e fundit në futbollin shqiptar dhe e kërkon me insistim këtë trofe.

“Pas festimit të titullit kampion, ditën pasardhëse zbritëm menjëherë në fushë dhe zhvilluam një seancë riaftësuese për të filluar përgatitjet. Është një ndeshje e vështirë, e vlerësojmë maksimalisht ndeshjen me Laçin. Kam marrë sinjale pozitive nga skuadra në seancën e parafundit stërvitore, ku entuziazmi ka qenë i madh si edhe disiplina që është primare për të arritur objektivin”, tha Daja në konferencën për shtyp.