Një kompani e njohur dhe e fuqishme kanadeze në pronësi të Michael Latifi, i cili është babai i pilotit kolaudator të skuadrës së Force India, Nicholas Latifi, ka investuar një shumë prej 233 milionë eurosh te skuadra britanike e McLaren.

Investimi i papritur është bërë përmes kompanisë Nidala, në pronësi të familjes Latifi, që ka vendosur të investojë te makina britanike në Formula 1, me qëllim që në të ardhmen i riu Nicholas, aktualisht pilot në Formula 2, të garojë në kategorinë më të rëndësishme të automobilizmit.

Skuadra McLaren është në kërkim të sponsorëve dhe investitorëve, sidomos pas largimit të Ron Dennis, që përveçse shiti kuotat e tij kishte edhe detyrën e drejtorit sportiv.

Në këtë situatë të krijuar, Michael Latifi ka vendosur të blejë një pjesë të madhe të aksioneve të makinës McLaren, duke imituar veprimin e bërë nga babai i një tjetër piloti të Formula 1, Lance Stroll, që ka investuar te makina Williams. Ky veprim i dha mundësi Stroll të jetë pilot te makina Williams.