Superiorja po luan fazën e Final Four, ndërsa 36 javë u mbyllën që në prill. “Sofascore” sjell një listë me 10 lojtarët më të vlerësuar përgjatë kampionatit të rregullt. Arsid Kruja ndodhet në krye të listës me diferencë nga të tjerët. Mbrojtësi i Teutës ka një mesatare 7.5 duke qenë lojtar kyç te durrsakët që siguruan mbijetesën në javën e parafundit. Pas tij vjen Regi Lushkja me notën mesatare 7.4. Ky i fundit rezultoi një surprizë tek Egnatia ku është golashënuesi kryesor. Uilliam Kordeiro është një tjetër lojtar që ka bërë mjaft mirë. Me notën 7.38 ra në sy te krahu i majtë i sulmit të Laçit dhe pse kurbinasit nuk mbijetuan në elitë.
Lista vazhdon të ketë emra të sulmit. Zabërgja i Dinamos dhe më pas Balaj i Vllaznisë, respektivisht me 7.29 dhe 7.23, ishin kryefjalë te Dinamo e Vllaznia që shkuan në Final Four.
Rol të rëndësishëm kanë pasur edhe portierët. Dajsinani fillimisht te Laçi dhe më pas tek Egnatia rezulton më i vlerësuari nga gardianët bashkë me Tafasin e Teutës. Të dy e mbyllën me notën mesatare 7.19. Një tjetër lider i Vllaznisë si Balaj është edhe Mala. Ky i fundit bashkë me portierin e Elbasanit, Abalora, kanë mesataren 7.18. Egnatia ka goditur në merkato dhe kjo e tregon lojtari i tretë i përfshirë në “Top 10”. Bashkë me Lushkjen dhe Dajsinanin, ndodhet Ujka. Nota e tij mesatare gjatë 36 javëve është 7.14.
