Pas kalimit të të gjitha shërbimeve online, që nga data 1 maj, në bashkinë Durrës do të funksionojnë vetëm 11 sportele fizike, ndërsa të gjithë të tjerët do të operojnë online.

Sekretarja e përgjithme e Ministrisë së Brendshme, Elena Pici, deklaroi se përveç regjistrimit të lindjeve, martesave dhe vdekjeve, të gjitha shërbimet e tjera që ofron Gjendja Civile do të merren online, përmes portalit e-albania.

Punonjësit e gjendjes civile do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve duke i orientuar për procedurën që do të ndjekin për aplikimin, deklaroi Pici, ndërsa inspektoi disa sportele së bashku me kryebashkiaken Emiriana Sako dhe prefektin e qarkut Emilian Jani.

“Për shërbimin e Gjendjes Civile do të jenë vetëm 150 sportele fizike në të gjithë vendin. Hartën e këtyre sporteleve, të gjithë qytetarët mund ta gjejnë në website-n e Ministrisë së Brendshme dhe bashkive respektive. Këto sportele fizike do të ofrojnë vetëm ato shërbime të cilat kanë nevojë për prezencën fizike të qytetarëve”.

Shumë qytetarë që ju drejtuan sot sporteleve të Gjendjes Civile u udhëzuan nga punonjësit e këtyre zyrave për ta kryer online shërbimin e kërkuar.

Problematik mbetet tani për tani aplikimi nga mosha e tretë, për shkak të pamundësisë për të aksesuar online. Sekretarja Pici deklaroi se edhe zyrat e ADISA-s që kanë funksonuar deri më tani në disa qytete do të mbyllen, për të kthyer çdo shërbim të mundshëm në formën digjitale.

M.B.