Pritet me duartrokitje dhe ovacione nga bashkëmoshatarët dhe mësuesit e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, 13-vjeçarja Eslin Kurti, e cila më 1 qershor u shpall fituese e edicionit të 64-t të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, që u zhvillua në Shkodër.
Siç duket edhe nga pamjet filmike që po publikon “DurrësLajm”, në momentin kur paraditen e sotme Eslin iu drejtua klasës së saj, të gjithë bashkëmoshatarët e pritën me duartrokitje, duke i dhuruar emocione të shumta, të ngjashme me ayo që përjetoi 2 ditë më parë, kur juria e vlerësoi me çmimin e parë të festivalit, në kategorinë Junior (9-14 vjeç) me këngën “Kërce me mua”.


Fitorja në festival i siguroi Eslinit edhe një tjetër arritje të madhe, pasi ajo do të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision Song Contest 2026.
Ky sukses vjen vetëm pak muaj pasi artistja e re triumfoi edhe në edicionin e 38-të të festivalit “Tingujt e Adriatikut” në Durrës. Eslin Kurti u shpall fituese me këngën “Diell”, me muzikë të kompozitorit Enis Mullaj, duke konfirmuar potencialin e saj si një nga zërat më premtues të muzikës për fëmijë.

Pas marrjes së çmimit në Durrës, Eslini u shpreh atëhere për “DurrësLajm” se kënga mund të jetë bashkëshoqëruesja e saj në vitet e ardhshme.
Sot, pas dy fitoreve të rëndësishme brenda pak muajsh dhe me sfidën e madhe të Junior Eurovision përpara, duket se rrugëtimi artistik i 13-vjeçares po merr formë më shpejt se sa ajo vetë mund ta kishte imagjinuar.





