Orges Ibi, 17-vjeçari nga Korça, ka arritur një sukses historik, duke u bërë shqiptari i parë që fiton medaljen e artë në Olimpiadën Botërore të Shkencave të Reja. Ai mori pikët maksimale në këtë kompeticion të rëndësishëm të matematikës, kimisë dhe kodimit, ku konkuruan mbi 160 të rinj nga e gjithë bota.
“Ky ishte një kompeticion ndërkombëtar, dhe fakti që arrita të fitoj medaljen e artë më bën të ndihem krenar. Pata mundësinë të njihem me të rinj nga vende të ndryshme dhe të testoj aftësitë e mia,” u shpreh Orgesi.
Pasioni i tij për teknologjinë dhe kodimin nisi që në moshë të vogël dhe tashmë ai synon ta çojë më tej këtë rrugëtim.
“Kodimi ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Kam nisur me një kurs dhe më pas arrita të krijoj projekte të plota. Besoj se e ardhmja është teknologjia,” shtoi ai.
Babai i tij, Bashkim Ibi, shprehet krenar për arritjet e të birit dhe thekson se Orgesi tashmë ka marrë ftesa për të vizituar universitetet më të mira në New York, duke hapur një kapitull të ri për të ardhmen e tij.
Në Korçë, mbi 40 të rinj po aftësohen çdo ditë në fushën e programimit dhe shkencave të reja, duke i dhënë një shtysë të rëndësishme zhvillimit teknologjik në juglindje të vendit./vizionplus.tv