Finalizohet operacioni policor i koduar “Exchange”.
Tentoi të merrte me forcë një shumë parash në kasën e një banke të nivelit të dytë por nuk mundi dhe gjatë largimit mori me dhunë në një exchange, 500 000 lekë, ndërhyrja në kohë e Policisë, bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit Florenc Deda.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, shuma e lekëve që ky shtetas mori me dhunë në exchange.
Shërbimet e Komsiariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte tentuar të merrte me dhunë, një shumë parash, në kasën e një banke të nivelit të dytë, në lagjen Nr. 3, Durrës, kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit.
Në momentin që shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë marrë njoftim se një shtetas kishte marrë me dhunë një shumë parash në lagjen Nr. 1, Durrës, dhe ishte larguar.
Falë mirorganizimit të punës, angazhimit të të gjitha shërbimeve policore, patrullës së përgjithshme, forcave “Shqiponja” dhe atyre operacionale, si dhe falë sigurimit të informacionit për autorin, pasi dyshohej se ishte i njëjti shtetas, u bë e mundur që në kuadër të operacionit policor të koduar “Exchange”, të identifikohej, kapej dhe vihej në pranga autori i dyshuar shtetasi Florenc Deda, 29 vjeç, banues në Rrogozhinë.
Nga veprimet hetimore dhe këqyrja e pamjeve filmike rezultoi se 29-vjeçari është autori i dyshuar i të dyja rasteve të tentativës dhe të marrjes me dhunë të shumës së parave në lagjen Nr. 1 dhe në lagjen Nr. 3, Durrës.
Në cilësinë e provës materiale, shërbimet e Policisë sekuestruan shumën e parave të marra me dhunë në exchange.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.