Prej dy ditësh, vullnetarë nga qyteti i Durrësit, por edhe nga qytete të tjera kanë sjellë një numër të madh kafshësh endacake për t’i sterilizuar dhe kastruar falas nga organizata “Jeta kafshët dhe njerëzit”.

Organizata me seli në Zvicër, prej disa vitesh ushtron aktivitetin në mënyrë vullnetare në qytetin e Durrësit në fushatat e sterilizimit, kastrimit dhe vaksinimit të kafshëve endacake dhe jo vetëm.

Administratorja Xheni Muller shprehet mjaft entuziaste për rezultatin e një dite më parë ku janë sterilizuar 50 qen dhe mace duke parandaluar shtimin e padëshiruar të tyre dhe të kafshëve endacake.

Në tre vitet e fundit janë kryer vullnetarisht 1200 ndërhyrje të tilla në qytetin e Durrësit dhe më pas kafshët rikthehen në terren të matrikulluar.

Veterineri Blendi Bejdoni qe ka ardhur posaçërisht nga Kosova për të ndihmuar në këtë projekt shprehet se këto janë të vetmet metoda bashkëkohore dhe evropiane të cilat praktikohen dhe gjejnë efekt në uljen e numrit të kafshëve endacake. Gjithashtu ai bën thirrje edhe për sensibilizim që qytetarët të mos blejnë kafshët e tyre shtëpiake, por të adoptojnë ato të pastreha dhe të mos i braktisin.

Deri në mesditën e ditës së dytë të punës, u arrit një numër prej 100 kafshësh të sterilizuara që për vullnetarët është një numër i lartë, pasi ata janë angazhuar me mjete rrethanore për t’i kapur në terren dhe për t’i transportuar deri në qendrën ku po zbatohet projekti në zonën e Shkozetit.

Projekti pritet të përfundojë brenda 3 ditëve dhe të gjithë kafshët e sterilizuara dhe matrikulluara do të pajisen me nga një kartelë me të dhënat specifike shëndetësore.