Vazhdon të mbetet kritike situata e mijëra familjeve durrsake që trajtohen me bonus qiraje, që pas tërmetit të 26 nëntorit.

Megjithëse ka kaluar gjysma e muajit korrik, familjet përfituese të bonusit nuk kanë marrë ende këstin e muajit maj, duke u vënë në vështirësi të mëdha me qiradhënësit, që u kërkojnë paratë.

Pavarësisht interesimit të herëpashershëm pranë bashkisë Durrës, qytetarët deri më tani nuk kanë asnjë përgjigje konkrete se kur do të lëvrohet fondi nga buxheti i shtetit, për pagesat mujore.

E dëshpëruar, një qytetare na ka dërguar një mesazh në redaksi, për të treguar situatën e rëndë ekonomike që po kalon.

“Është muaji i tretë që presim bonusin. Çdo ditë qiradhënësi na kërcënon se do na nxjerrë nga shtëpia, nëse nuk i japim paratë. Po ca ti japim, kemi 3 muaj pa bonus? Mezi po ia dalim të mbyllim muajin me këto çmime që janë rritur. Bashkia miratoi 300 milionë lekë shtesë për karburant, ndërsa për ne nuk kujtohet askush. Mirë që shtëpitë s’po na i bëjnë, por as bonusin s’po na e japin. Si do vejë halli ynë, ku të mbytemi?”,- shkruan ajo.

Vonesat në kalimin e bonusit janë një fenomen i përsëritur për mijëra familje që trajtohen me bonus qiraje. Paratë duhet të lëvrohen nga Thesari i Shtetit për të kaluar më pas në llogaritë e qytetarëve përfitues, por deri më tani kjo gjë nuk ka ndodhur.