Në aktivitetin kulturor “31 vjet Festë deti” të mbajtur mbrëmjen e djeshme në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës u nderuan me certifikatë mirënjohjeje, këngëtarja e njohur vlonjate e muzikës popullore Maja Aliçka dhe çifti i artistëve nga Durrësi, Bardh Vrapi dhe Luljeta (Shyti) Vrapi.

Aktiviteti i organizuar nga Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare dhe i moderuar nga gazetari i njohur Bujar Qesja krijoi një atmosferë festive në sallën e teatrit, pasi repertori i pasur i këngëtarëve si Eranda Libohova, Jolanda Dhamo, Luljeta Strefi, Dhimitër Stefa, Alban Kamenica etj “ndezi” publikun e shumtë në numër.