Autoritetet vendore dhe qendrore në Durrës dhe Shoqata e Veteranëve kanë kryer homazhet në Mauzoleumin e Dëshmorëve me rastin e 5 majit, ditës së nderimit të të rënëve për atdheun, që me gjestin e tyre heroik kontribuuan për një Shqipëri të lirë.

Të pranishmit, mes të cilëve edhe kryebashkiakja Emiriana Sako, në ceremoninë solemne parakaluan përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit duke vendosur kurora me lule.

”Ne kemi detyrën për ta festuar në mënyrën më solemne këtë datë historike, një ndër datat më krenare në historinë e popullit tonë.

Është përvjetori i një lufte, ndër të vetmet luftëra, ku populli ynë u shpall në anën e fituesit.

Dhe këtë fitore askush prej nesh nuk e ka ndarë e nuk do ta ndajë nga emri i të rënëve, Dëshmorëve të Atdheut”, tha ndër të tjera gjatë fjalës së rastit drejtori i Arsim-Kulturës në bashkinë e qytetit bregdetar, Ardian Gurra.

“Është koha për të zgjeruar nderimin tonë, jo vetëm për ata që dhanë jetën, jo vetëm për ata që luftuan me uniformë, por edhe për popullin, ata të thjeshtë që u vetësakrifikuan pa qenë në vijën e parë të frontit”, shtoi ai.