Viti 2023 ka regjistruar shifra shumë të kënaqshme përsa i përket vizitave në monumentet dhe sitet arkeologjike të Durrësit.

Në vitin që lamë pas janë regjistruar 50% më shumë turistë në sitet e trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar, ku amfiteatri që i përket shekullit të II e.s dhe Torra Veneciane mbeten monumentet më të vizituar.

“Krahasuar me një vit më parë ka një rritje me 50%%. Kemi pasur gati 26 mijë vizitorë vetëm në amfiteatrin e Durrësit. Patëm shumë vizita edhe tek Torra Veneciane pas hapjes së saj në korrik 2023, monument ky që është risi për qytetin por edhe vizitorët, sepse nuk ka qenë më parë e vizitueshme. Ndërkohë aty merr informacion për të gjitha sitet dhe për të gjitha objektet që janë për t’u vizituar në qytetin e Durrësit”,- thotë për “DurrësLajm” drejtori i Qendrës Muzeore, Alban Ramohitaj.

Afati i përfundimit të restaurimit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit është shtyrë me një vit, çka bën që edhe këtë sezon veror që po afron mijëra turistë nga shumë vende të botës nuk do mund të vizitojnë artefaktet e nxjerra nga nëntoka durrsake.

“Nuk na penalizon mbyllja, sepse turistët vijnë. Pavarësisht se nuk do shohin muzeun, ne kemi shumë objekte të tjera që mund t’i ofrojmë atyre duke qenë se jemi qytet me një trashëgimi të konsiderueshme dhe një nga qytetet më të rëndësishme të vendit tonë. Turistët mund të vijnë dhe të shohin shumë gjëra që ne po i përgatisim dhe do jenë gati për sezonin veror”,- deklaron drejtori i QMD-së.

Përveç Muzeut Arkeologjik, një tjetër godinë mjaft e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore që pësoi dëme nga tërmeti është ajo e Muzeut Etnografik, e njohur ndryshe dhe si shtëpia e Aleksandër Moisiut. Pas më shumë se 4 vite që qëndron e kyçur, godina 2 katëshe me arkitekturë të veçantë pritet t’i nënshtrohet restaurimit.

“Në dijeninë time është bërë projekti për restaurimin dhe besoj se shumë shpejt do të nisë edhe procesi i restaurimit. Fondi që do nevojitet për restaurimin e këtij monumenti do të akordohet nga programi EU4Culture”,- thotë Ramohitaj.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme të shumta në sitet e trashëgimisë kulturore, një pjesë e konsiderueshme e të cilave i janë nënshtruar prej kohësh restaurimit. Pritet që përgjatë këtij viti të hapë dyert edhe Hamami, ndërhyrja në të cilin është drejt përfundimit. Ky monument i kategorisë së parë po restaurohet falë programit EU4Culture.

M.B.