Krahas mësimit, këtë të hënë në shkolla festohet edhe 7 Marsi, festa kushtuar mësuesve, në përkujtim të hapjes së shkollës së parë shqipe.
Në shenjë mirënjohjeje, nxënësit falënderojnë me dhurata mësuesit e tyre.
“Mësuesit tim i pëlqen vera dhe unë i kam blerë një shishe me verë dhe disa çokollata”, shprehet nxënësi i vitit të parë në shkollën e mesme.
Ajo që bie në sy nga viti në vit, është se rrugët e qytetit, dikur plot ngjyra nga tufat me lule, kohët e fundit po zbehen gjithnjë e më shumë.
“Tradita” e luleve ia ka lënë kështu vendin dhuratave të tjera simbolike.
“Brezat që vijnë e deformojnë festën sepse dhuratat vërtet mbesin gjithmonë, por mendoj që më mirë të dhurosh një lule se shumë gjëra të tjera. 7-8 Marsi karakterizohet nga lulet”, thotë adoleshenti.
“I kam blerë një çantë dhe lule”, tregon një vajzë e vogël, ndërsa e ëma e saj thotë se në këtë ditë nuk duhen dhuruar vetëm lule, “por edhe diçka tjetër e vogël”.
Viti 2022 përkon me 135-vjetorin e hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, në vitin 1887 dhe pavarësisht motit të keq, kjo ditë, si çdo vit, nuk mund të kalonte pa u festuar.