Sot mbushen 72 vjet nga themelimi i teatrit “Aleksandër Moisiu”. Më 11 janar 1953, Durrësi, ky qytet me një histori gati tremijë vjeçare, do të themelonte Teatrin profesionist me emrin e aktorit të madh me famë botërore “Aleksandër Moisiu”.
Ishin 14 aktorë, një pjesë e mirë tepër të angazhuar në lëvizjen amatore, të cilët themeluan këtë teatër duke nisur historinë e një tradite të mirëfilltë teatrore në shtëpine e parë të teatrit durrsak, ish-kinemanë “14 nëntori” e më pas, veprimtaria kryesore e teatrit “Aleksandër Moisiu” u lidh kryesisht me godinën aktuale të saj, e cila u përurua më 4 shkurt të vitit 1965.
Ky rrugëtim 72-vjeçar numëron mjaft tituj, çmime e arritje në rang kombëtar e më tej nga aktorët, regjisorët si dhe artistet e profileve të tjerë të këtij teatri.
Me mbi 250 premiera e me një trupë tashmë të konsoliduar aktorësh, shfaqjet po ridimensionojnë profile të rinj aktorësh me ambicie, përkushtim e shumë dëshirë, duke na dhënë besim për t’a vijuar më tej traditën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në vitet që do të vijnë.
Kryebashkiakja Emiriana Sako ka ndarë këtë video në rrjetet e saj sociale, me disa ndër figurat kryesore të teatrit, teksa i uron jetëgjatësi dhe suksese brezave që po punojnë e atyre që do të vijnë.