Për të dytin vit radhazi instalacioni “Këpucët e kuqe” vendoset në Durrës, në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Ndryshe nga një vit më parë, ndërgjegjësimi i vajzave dhe grave por jo vetëm ishte më i madh, dhe kjo dukej nga numri i konsiderueshëm i këpucëve të llojeve të ndryshme që ishin vendosur përgjatë gjithë sheshit “Liria”, tek skulptura “Vija e dritës”, galeria e artit pamor, por edhe shkallët e bashkisë.
Studentët e UAMD-së, por edhe nxënësit e shkollave “Jan Kukuzeli”, “Leonik Tomeo” etj ishin ndër kontribuesit më të mëdhenj për mbledhjen e këpucëve të kuqe dhe sipas regjisores Driada Dervishi, kjo ishte arritja më e madhe e këtij viti; sensibilizimi i të rinjve për fenomenin e dhunës me bazë gjinore dhe humbjen e jetës së grave dhe vajzave si pasojë e kësaj dhune.
Ndërkohë stafi pedagogjik i shkollës “14 nëntori”, në shenjë solidariteti me gratë e Ukrainës që ky 8 Mars i gjeti në situatë lufte vendosi dhjetëra karafila të bardhë në shesh.
Regjisorja Driada Dervishi, një nga iniciatoret e kësaj nisme, tha se këtë 8 Mars, instalacioni “Këpucët e kuqe” është vendosur edhe në Tiranë, Berat etj.
Një vit më parë, ideja e regjisores së teatrit “Aleksandër Moisiu”, për dënimin e dhunës ndaj grave, u konsiderua “Foto Dite” nga shumë media të mirënjohura ndërkombëtare.
Instalacioni “Këpucët e kuqe” i artistes meksikane Elina Chauvet u vendos më 22 gusht 2009 në shenjë nderimi ndaj motrës së Elinës, e cila humbi jetën, por që prej asaj kohe kjo nismë është përkrahur në shumë vende të botës.
M.B.