Teuta nuk ka arritur të vijojë rezultatet pozitive në një ndeshje, që para fillimit të saj mund të konsiderohej e fituar. Gjithsesi, Flamurtari është treguar një skuadër shumë serioze dhe i ka lënë të gjitha problemet jashtë fushës. Vlonjatët erdhën në Durrës vetëm 40 minuta para fillimit të ndeshjes, por kjo nuk i ka ndalur të dhurojnë një ndeshje shumë të bukur.
Ndeshja ka nisur me Teutën më kërkuese, duke sulmuar me shumë forca, por prej kësaj kanë përfituar lojtarët e ofensivës së vlonjatëve. Një kombinim perfekt i brazilianit Oliveira dhe Harunit i dha golin e epërsisë skuadrës së Troisit në minutën e 14. Pas golit, Teuta tregohet naive dhe hidhet e gjitha në sulm, duke krijuar hapësira mbrapa, që i japin mundësinë kuqezinjve të rrezikojnë në disa raste.Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Flamurtarit.
E dyta nisi me golin e Teutës, pas shumë polemikash. Arbër Çyrbja merr një shtyrje relativisht të lehtë nga Lukas Ramos, ndërkohë që ishte me shpinë nga porta. Gjyqtari akordon penallti, që e merr përsipër i sapofuturi në lojë Sherif Kallaku. Sulmuesi gabon përballë Moçkës, por është Çyrbja që e dërgon atë top në rrjetë dhe bën të harrohet gabimi i shokut të tij.
Pas barazimit Teuta kërkon golin e fitores, por pa arritur të shkojnë me rrezikshmërinë e duhur te porta e Moçkës. Kallaku ka një mundësi të mirë brenda zonës, por nuk arrin të godasë saktë, i ndikuar edhe nga forma fizike e dobët, pas atij dëmtimi në përplasjen me Hoxhën në ndeshjen e kaluar. Flamurtari tregon se nuk është një skuadër e thjeshtë, duke rrezikuar nëpërmjet kundërsulmeve. Ndeshja mbyllet në barazim 1-1, me Teutën që humbet terren në luftën për një vend në Europë dhe Flamurtarin, që tregon se do e respektojë garën deri në fund.





