Aktori Xhevdet Ferri dhe regjisori Artan Minarolli janë përkujtuar në një mbrëmje homazh në Durrës në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku u shfaq filmi premierë “Delegacioni”, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare.

Xhevdet Ferri, aktori durrsak që humbi jetën pak javë më parë, ka ardhur në vendlindje me rolin e fundit në filmin e tij të shfaqur. Edhe regjisori Artan Minarolli u largua nga kjo jetë shumë herët duke lënë pas veprat me të cilat flasin.

Zhulien Varfaj, kreu në detyrë i bashkisë së Durrësit, tha se artistët kanë fatin e madh që edhe kur largohen të jenë sërish mes njerëzve me veprën që lënë.

“Me këtë shfaqje Xhoda sonte i erdhi Durrësit e po ashtu edhe kineasti Artan Minarolli. Të dy tashmë i takojnë qiellit, por filmat e tyre i takojnë publikut”.

Europë House në bashkëpunim me Bashkinë Durres- këndin e BE-së, organizuan shfaqjen e filmit “DELEGACIONI” në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ndërsa hyrja ishte e lirë për të gjithë publikun.

Filmi “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit dhe skenar të të ndjerit Artan Minarolli, ka arritur të fitojë çmimin e madh “Grand Prix” në Varshavë dhe vlerësimin si “Filmi më i mirë i gjatë” në Festivalin e Triestes.