Shuhet në moshën 86-vjeçare këngëtarja e famshme, Nexhmije Pagarusha.

Pagarusha do mbetet në mendjen e shqiptarëve si ikonë e muzikës shqipe. Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare ishte aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takonte. Ishte e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film, ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota”, me rastin e një turneu.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji.

Ajo dhe muzika ishin një! Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.