Ministrja e re kosovare e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka rënë sot pre e një sulmi kibernetik, pasi në një adresë në “Twitter” me emrin e saj shkruhej lajm i pavërtetë se shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare kishte vdekur.
Postimi i saj u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa në një prej statuseve, në gjuhën angleze, në këtë faqe thuhej se lajmi mbi vdekjen e Kadaresë konfirmohej dhe nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Shqipërisë, Elva Margariti.
Pas këtyre postimeve në Twitter, ka reaguar ministrja Dumoshi në profilin e saj në “Facebook”, ku ka thënë se ajo nuk ka asnjë llogari në “Twitter”.
“Sapo u njoftova se dikush ka hapur një llogari të rrejshme në emër timin në rrjetin social Twitter dhe të njëjtën e ka keqpërdorur, duke lëshuar lajme të rrejshme -fake news. Dua të ju informoj se unë nuk kam asnjë llogari në Twitter. Menjëherë do ta paraqes rastin në Policinë e Kosovës, departamentin e krimeve kibernetike. Dëshiroj të shpreh keqardhjen time për këdo që mund të jetë trazuar nga këto lajme të rrejshme, duke keqpërdorur emrin tim”, ka shkruar Dumoshi.