Koronavirusi i ri, i njohur ndryshe si 2019-nCov, ka shkaktuar sot viktimën e parë jashtë territorit të Kinës.
Mediat e huaja raportojnë se viktima e parë është shënuar në Filipine. Mësohet se pacienti ishte një 44-vjeçar kinez nga Wuhan, në provincën Hubei, ku u zbulua për herë të parë virusi.
Sipas Organizatës Botërore te Shëndetit, viktima ishte infektuar para mbërritjes në Filipine.
Kujtojmë se koronavirusi i ri deri tani iu ka marrë jetën 305 personave në Kinë, ndërsa 14 mijë e 480 të tjerë janë konfirmuar të infektuar në të gjithë botën.
Rabindra Abeyasinghe, përfaqësuesi i OBSH-së në Filipine, tha: “Kjo është vdekja e parë e raportuar jashtë Kinës. Sidoqoftë, duhet të kemi parasysh që ky nuk është një rast i fituar në vend. Ky pacient ka ardhur nga epiqendra e këtij shpërthimi.”
Vdekja vjen pasi vendet në mbarë botën i mbyllin kufijtë e tyre për udhëtarët nga Kina dhe zyrtarët punojnë për të kontrolluar përhapjen e shpejtë të virusit.





