Reporteri për Shqipërinë në Grupin PPE të Parlamentit Europian David Lega deklaroi sot, një ditë para se Kuvendi të votojë dekretet e Presidentit për ligjet e medias se miratimi i tyre rrezikon çeljen e negociatave.
Në një postim në “Twitter”, David Lega duke përsëritur qëndrimin e PPE pro çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë shkruan se Shqipëria duhet të respektojë kriteret e Kopenhagenit
“Po përsëris qëndrimin tim mbi rrezikun që mbartin ligjet e reja për median në lidhje me çeljen e mundshme të negociatave me BE.
Grupi PPE i Parlamentit Europian beson fort në çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Por Shqipëria duhet të respektojë kriteret e Kopenhagenit që janë një standard bazik e minimal për një vend kandidat.
Nëse qeveria Rama do të miratojë në plenare ligjet në formën aktuale atëherë ajo po vë në rrezik serioz shansin për çeljen e negociatave të anëtarësisë në BE.
Qeveria Rama duhet patjetër të përmbushë rekomandimet specifike të dhëna nga Komisioni Europian dhe nga Këshilli i Europës”.
Më 12 janar Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi rrëzimin e paketës “anti-shpifje”, të kritikuar jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatat botërore të mbrojtjes së të drejtave të tyre, por edhe nga institucionet e BE.
Ndër argumentat ligjore të kthimit të ligjit nga Presidenti Meta thuhet se në formën që këto dispozita janë miratuar cenojnë jo vetëm parimet themelore kushtetuese, por ato përbëjnë rrezik për cenim të interesit publik, i cili garantohet edhe përmes ushtrimit të lirisë së shprehjes, lirisë së shtypit dhe së drejtës së informimit, të drejta këto të domosdoshme për një rend demokratik, të lirë e kushtetues”.
“Miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtëpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias.
Kjo gjëndje censure krijohet përmes aplikimit të masave ndëshkuese jo proporcionale që këto dispozita parashikojnë, masa që mund të vlerësohen dhe vendosen nga organe administrative, të cilat në kundërshtim të hapur me rendin e brendshëm kushtetues dhe ligjor, u jepet fuqia që t’i vënë në ekzekutim të menjëhershëm këto masa, përpara se të ketë një vendimarrje përfundimtare dhe të formës së prerë mbi ligjshmërinë e tyre.
Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurtë ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese dhe shproporcionale që parashikon ligji i miratuar”, shprehet Presidenti në argumentimin ligjor të dekretit për kthimin e paketës “antishpifje”.
Po kështu sipas Kreut të Shtetit, këto mekanizma jo proporcionalë të forcës ndëshkuese që përmbajnë ndryshimet ligjore të miratuara, krijojnë hapësirë që ato të aplikohen përkundrejt mediave on line që janë kritike me punën e qeverisë. “Kjo e fundit përmes përfaqësuesve të saj në organet vendimarrëse dhe kompetencave që këto organe marrin, ka të gjitha mundësitë të shfrytëzojë këtë bazë ligjore që lejon interpretim subjektiv, të ndëshkojë në mënyrë të padrejtë çdo media e cila nuk i përshtatet vullnetit politik të shumicës.
Ky realitet do të prodhonte frikësimin dhe autocensurën, mbylljen apo pezullimin me pa të drejtë të mediave elektronike, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, ç’ka do të prodhonte furnizimin e publikut me fakte ndryshe nga realiteti, që jo vetëm keqorientojnë shoqërinë në kërkimin e të drejtave të tyre, por dhe në përmbushjen e përgjegjësive qytetare për ndërtimin dhe ruajtjen e vetë demokracisë.
Një situatë e tillë do e vendoste vendin në kufirin e një autoritarizmi, që do të përbënte rrezik për të ardhmen dhe integrimin e Shqipërisë, si edhe ekzistencën e vetë demokracisë funksionale në vend”,– thuhet në arsyetimin ligjor të dekretit të Metës.
Ndërkohë më 13 janar, maxhoranca nëpërmjet kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla u shpreh se dekreti i Presidentit do të rrëzohet sa më shpejt në Kuvend.
Më 22 janar Komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit rrëzoi dekretin e presidentit Meta që kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, pjesë e paketës antishpifje.
Më 23 janar Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 91/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.





