Del fotoja e babait të 5 fëmijëve që u mor peng në Kamëz dhe u vra rrugës për te resorti “Golden” në Shijak. Ky është Jak (Jan) Prenga, i cili u mor peng pasi dyshohet se i vëllai nuk kishte dorëzuar te porositësit e drogës një sasi prej 60 kilogramë kokainë. Trupi i tij ende nuk është gjetur nga policia e Shtetit, ndërkohë që sot është konfirmuar edhe vdekja e tij për shkak të dhunës.
Viktima Jak Prenga
Operacioni “Resorti”, u zhvillua ditën e djeshme në restorin “Golden” në Shijak. 49-vjeçari i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut ka ndërruar jetë rrugës për në resort, aty ku do mbahej peng. Rrëmbimi i Prengës ka ndodhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me pengmarrësit, si pasojë e prishjes së disa pazareve të drogës në Britaninë e Madhe.
Gjatë operacionit, Policia ka ndaluar të dyshuarit kryesorë për ngjarjen. Bëhet fjalë për Elton, Leonard dhe Bajram Hajri, respektivisht 32, 35 dhe 64 vjeç dhe 36-vjeçarin Olsi Turja, të gjithë banues në Shijak.
Mbi të ndaluarit rëndojnë akuzat e “rrëmbimit të personit”, “fshehja e kufomës”, “moskallëzim krimi” dhe “pengimi i zbardhjes të së vërtetës. Në to shtohet edhe “armëmbajtja pa leje. Pas rrëmbimit të 49-vjeçarit, pengmarrësit janë nisur menjëherë drejt resortit të Altin Hajrit për të mbajtur aty viktimën. Të ndaluarve u janë sekuestruar armë zjarri, municione luftarake, aparate celularë, automjete dhe një shumë parash në euro.





