Një mision i ekspertëve italianë do të vijë në Shqipëri për të vlerësuar dëmtimin e trashëgimisë kulturore nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit, njoftoi, më 14 janar 2020, nënsekretarja italiane e Shtetit për Trashëgiminë Kulturore dhe Turizmin, Ana Laura Orriko (Anna Laura Orrico) në fjalimin e saj në një konferencë rajonale të organizuar nga autoritetet shqiptare në Tiranë. Konferenca “Tourism for Solidarity and Sustainability”, synon të promovojë turizmin, veçanërisht në Durrës, një nga zonat më të prekura nga tërmeti.
Ndërhyrja e Task Forcës italiane u urdhërua nga Ministri i Trashëgimisë Kulturore Dario Françeskini (Franceschini), citon Orriko-n agjencia italiane e lajmeve ANSA. Misioni, i cili do të fillojë të dielën dhe do të zgjasë një javë, ka në përbërje tre zyrtarë të ministrisë (një arkitekt, një restaurues dhe një fotograf) dhe dy ushtarë nga Komanda e Karabinierëve e Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore.
“Një staf që ka fituar përvojë të konsiderueshme në sigurimin e trashëgimisë kulturore në Italinë qendrore, aftësi që tani do të vihen në shërbim të Shqipërisë”, tha Orrico-ja, duke sqaruar se “vëmendje e veçantë do t’u kushtohet vendeve më të prekura në rreze prej 50 km nga epiqendra e tërmetit. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, Taskforca do të përgatisë në veçanti një relacion mbi shtirjen e dëmeve në trashëgiminë kulturore. Do të përcaktojë specifikime mbi masat e sigurisë për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. Do të japë udhëzimet e para teknike për përgatitjen e qendrave të para të depozitimit, në të cilat do të vendosen përkohësisht objektet e Trashëgimisë Kulturore të dëmtuara”.
Th.M.