Barcelona nuk është e kënaqur me punën e Valverde dhe në ditët e ardhshme mund të vijë shkarkimi i tij. Për t’i paraprirë kësaj, drejtori sportiv, Erik Abidal ka nisur punën për të gjetur një zëvendësues të denjë. Ksavi është një kandidaturë potenciale për të marrë drejtimin e katalanasve. Ai nuk ka hezituar kurrë të pranojë se dëshiron që një ditë të drejtojë Barcelonën.
Mediet spanjolle ditën e djeshme raportuan se do të ketë një takim në Katar mes Ksavit dhe drejtuesve katalanas. 39-vjeçari aktualisht drejton Al Sad, klubin në të cilin mbylli edhe karrierën. Menjëherë pas këtyre zërave, klubi i Al Sad ka reaguar në rrugë zyrtare.
Turki Al-Ali, drejtor i përgjithshëm i klubit nga Katari deklaron: “Zërat që e çojnë Ksavin te Barcelona janë diçka normale dhe të pritshme. Është shtëpia e tij e parë dhe mund të rikthehet në të ardhmen. Por tani ai është trajner i Al Sad dhe do duhet të përmbushë detyrat e tij ndaj nesh. Kërkoj që çdo vendim nga ana e një klubi të madh si Barcelona të bëhet në rrugë zyrtare”.





