Gjenerali, Qasem Soleimani, kreu i forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit është vrarë nga forcat amerikane në Irak duke thelluar kështu tensionet mes SHBA dhe Iranit. Sulmi i urdhëruar nga presidenti amerikan Donald Trump pranë aeroportit të Bagdadit, në Irak, ka shkrumbuar plotësisht dy makina duke vrarë 8 persona mes të cilëve edhe gjeneralin iranian Qassem Soleimani, figura kyçe në strategjinë e Teheranit në Lindjen e Mesme.
“Është një akt terrorist”, ka thënë ministri i jashtëm iranian, Javad Zarif. Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei bën thirrje për hakmarrje. Pentagoni ka replikuar: “Do mbrojmë interesat tona”.
Ka qenë vetë presidenti Donald Trump që ka urdhëruar vrasjen e Soleimanit sipas Pentagonit, ndërkohë që në profilin në “Twitter” ka publikuar një foto të flamurit amerikan.
Gjenerali Qassem Soleimani ishte Komandanti i Forcës elitë Al-Quds, pjesë e Ushtrisë së Gardës Revolucionare të Iranit. Vrasja e tij nga shumë ekspertë po konsiderohet si momenti më delikat në Lindjen e Mesme që pas Luftës së Irakut. Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se “hakmarrje e ashpër i pret kriminelët”, mbrapa këtij sulmi. Ai ka shpallur tri ditë zie.





