Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, Mehmet Myftiu, shkrimtari shqiptar që vuajti përndjekjen komuniste. Lajmi bëhet i ditur nga miq të Besa Myftiut, vajzës së tij, shkrimtare e njohur po ashtu.
Vitin që shkoi ajo i botoi babait librin “Nuk i dua thinjat” me poezi të hershme.
I lindur në Tiranë më 1930, në moshën 12-vjeçare, Mehmet Myftiu u internua në kampin nazist të Prishtinës, ku shpëtoi rastësisht nga vdekja. Pas Çlirimit punoi si gazetar, duke iu kushtuar në të njëjtën kohë letërsisë. Ai guxoi të vërë në dyshim ligjet e realizmit socialist dhe të mbrojë të drejtën e shprehjes së mendimit të shkrimtarit Kasem Trebeshina. Autoritetet komuniste e dërguan në internim, ku lindi jo vetëm romani i tij autobiografik me titullin “Shkrimtari” që u dënua si reaksionar nga regjimi, por edhe shumica e poezive që u botuan së fundmi.
Mehmet Myftiu u deklarua “Armik i popullit” dhe iu hoq e drejta e botimit. Për 25 vjet punoi si shitës cigaresh në kinkaleri. Veprat e tij u botuan pas rënies së regjimit. “Babai edhe internimin e nazistëve edhe të komunistëve e ka jetuar me shumë heroizëm, duke u munduar që të gjejë një forcë shpirtërore në idealin e tij. Ai thoshte gjithmonë ‘unë nuk jam viktimë’, unë e kam zgjedhur fatin tim’”,- thotë e bija. Ajo shton se njëherë i ati i ka thënë se “‘duhen tetë tërmete që të dalë vepra ime’. Më vjen keq që ‘Shkrimtari’, libri i parë disident në vendet e Lindjes, ku im atë e kuptoi që regjimi ishte i gabuar, nuk është vlerësuar sa duhet, sepse të tjera gjëra kanë pasur më shumë rëndësi në këtë zhvillim të vrullshëm të kapitalizmit”.