Violinisti i shquar Florian Vlashi organizon në Spanjë koncert në ndihmë të familjeve në Durrës të prekura nga tërmet.
Koncerti titulluar “Tingulli dhe Fjala”, ku marrin pjesë tre poetë, tre kompozitorë dhe tre interpretë do të zhvillohet ditën e shtunë me 7 dhjetor ne Fundación Luis Seoane, La Coruña Spanjë.
Floriani thotë se “Koncerti do t´i dedikohet viktimave të tërmetit të Durrësit dhe të ardhurat nga ai do të shkojnë në ndihmë të familjeve të prekura.”
“Tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima në Shqipëri dhe shumë familje të shkatërruara kanë nevojë për ndihmë.”
Florian Vlashi me familjen e tij, një kuartet artistësh, me artin e tyre kanë ndërtuar prej vitesh me radhë një urë kulturore, artistike dhe muzikore Galicia-Shqipëri, siç është rasti i Grupit Instrumental të Shekullit XX që drejtohet pikërisht nga violinisti i shquar. Florian Vlashi, në rastin e koncertit thotë se “Do të dëshironte që kjo urë të merrte tani harmoninë e solidaritetit për familjet në nevojë urgjente dhe prandaj do t´ja kushtojmë, këtë koncert dhe eventin NEXOS viktimave të tërmetit të Durrësit. Kujtimi ynë për ta, emocioni ynë, muzikë dhe fjalë.”
Me këtë rast Florian Vlashi falenderon poeteshën Yolanda Castaño.
Vepra në program “Tiendo, Lamento y Tocata” e kompozitorit Federico Mosquera i është dedikuar dy muzikantëve shqiptarë, Florian Vlashi dhe Rediana Lukaçi.