Busti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu është vendosur në parkun “Eunice Kennedy” në qytetin e Parmës, Itali.

Ceremonia e inagurimit të veprës së skulptorit të njohur durrsak, Idriz Balani, është zhvilluar paraditen e së shtunës. Qyteti i Parmës bëhet kështu i pari qytet në veriun e Italisë, që promovon një iniciativë të tillë.

Inaugurimi i bustit të Balanit u bë në kuadër të edicionit të 13-të të muajit të Kulturës Shqiptare në Parma, e promovuar dhe mbështetur nga shoqata “Skënderbeg”.

Në ceremoninë e inaugurimit të bustit të heroit kombëtar të Shqipërisë ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Parmës Federico Pizzarotti.

Ambasadorja shqiptare në Itali, Anila Bitri, e shoqëruar edhe nga konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Milano, Adrian Andreja dhe nga konsullja e përgjithshme e Shqipërisë në Milano Anila Pojani, falenderuan administratën e bashkisë dhe qytetin e Parmës për mbështetjen e ofruar për këtë iniciaticë.

“Ky inaugurim shpreh vullnetin politik për bashkëpunim dhe solidaritet. Ashtu si ndihma e menjëhershme që italianët dhanë menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit. Zjarrfikësit dhe Mbrojtja Civile italiane ishin të parët që mbërritën për të dhënë ndihmën e tyre. Skënderbeu na bashkon, na bashkon historia e tij, vlerat e tij”,– tha gjatë ceremonisë ambasadorja Anila Bitri.