Me Durrësin e tronditur dhe të shkatërruar nga tërmeti i fuqishëm 6.3 ballë, po solidarizohet një pjesë e madhe e vendeve nga mbarë bota, qeveritë e të cilave kanë dërguar menjëherë ndihma e forca speciale për të ndihmuar në këto ditë të vështira vendin tonë.
Solidaritet dhe humanizëm të madh po tregojnë dhe shqiptarët e Kosovës. Disa banorë nga Kosova kanë kontaktuar redaksinë e “DurrësLajm” dhe teksa shprehin ngushëllimet e tyre për familjarët e viktimave, thonë se kanë hapur dyert e banesave të tyre për strehimin e njerëzve që kanë nevojë. Këta njerëz me vullnet të mirë marrin përsipër dhe gjithë përballimin e shpenzimeve të banorëve të prekur për sa kohë do të qëndrojnë në banesat e tyre.
Ata kanë publikuar dhe numrat e tyre të kontaktit për këdo që ka nevojë, do të gjejë një vatër të ngrohtë strehimi në Kosovë.
Ndërkohë, më herët 100 banorë nga Durrësi janë nisur drejt Kosovës me dy autobusë që u janë vënë në dispozicion nga autoritetet kosovare, të cilat kanë marrë përsipër sisteminin e tyre në Prishtinë deri në momentin kur do të zgjidhet situata e akomodimit të tyre. Shpenzimet janë marrë përsipër nga autoritetet kosovare. Kosova ishte e para që dërgoi dje forcat e saj të ushtrisë në ndihmë të vendit, dhuroi 500 mijë euro dhe e shpalli 27 nëntorin ditë zie.
Edhe nga Kërçova e Maqedonisë kanë kontaktuar në “DurrësLajm”, të cilët shprehen se janë shumë persona të gatshëm për të dhuruar gjak për personat e lënduar që ndodhen në spitale.
Një sensibilizim i madh, humanizëm e vlera të larta njerëzore, çka i nevojitet Durrësit në këto momente më shumë se kurrë.
(Për numrat e kontaktit hapni fotot më poshtë)





