Biblioteka publike e Durrësit organizoi këtë të hënë ekspozitën tematike “Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri”, në kuadrin e 75-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
153 tituj librash, të botuar, pasuri e kësaj biblioteke ishin ekspozuar sot në sallën e leximit, ndër të cilat literaturë historike, biografi dhe kujtime.
Ekspozita u vizitua nga lexues të ndryshëm dhe nga nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme “Leonik Tomeo”, “Gjergj Kastrioti”, nxënësit e shkollës jopublike “Migjeni” si dhe nxëneset e Medresesë së qytetit “Mustafa Varoshi”.
Për këtë ekspozitë punuan bibliografja Teuta Dhima, klasifikatorja Alketa Psatha dhe specialisti Enton Bido.
Biblioteka e Durrësit organizon vazhdimisht aktivitete të ndryshme letrare, apo vizita dhe takime sensibilizuese e informuese si brenda ambienteve të saj, po ashtu edhe në salla të tjera me kapacitet më të madh, për të afruar brezin e ri drejt librit e për t’i tërhequr të rinjtë e të rejat drejt tempullit të dijes.