Panairi i Librit 2019, një ndër aktivitet më të rëndësishëm të autorëve, botuesve, përkthyesve etj, me pjesëmarrje të 100 shtëpive botuese, ka patur pjesëmarrjen edhe të autorëve durrsakë me librat e tyre.

Poeti Ardi Omeri promovoi vëllimin  më të fundit me poezi, "Tingujt e Heshtjes" te stenda e shtëpisë botuese “Toena”.

Omeri, që në këtë libër vjen me një buqetë poezish për dashurinë, në një intervistë për “DurrësLajm” tha se ishte një punë dy vjeçare në mbledhjen e poezive.

Vetë poeti e ndjen veten më të pjekur artistikisht, në botimin e librit të tij të shtatë.

“Dua apo nuk dua poezia më ndjek nga pas, nuk mund t’i fshihem kurrë,” thotë ai. Edhe pse shkruan  vazhdimisht në prozë, poezia mbetet pasioni  i tij.

Parathënia nga poeti Arben Duka

Poeti Arben Duka në parathënien e librit “Tingujt e Heshtjes” krahason  muzikën e vargjeve të Ardi Omerit  me Mopasanin. Muzika e tingullit të heshtjes “Një vashëzë e njomë, e çelur si trëndafil, nuk ka kurrfarë nevoje t’i lyejë me të kuq faqet e saj…”.

Këtë e ka shkruar Mopasani në kryeveprën e tij “E kuqja dhe e zeza”. Për analogji do të thosha, se një libër i bukur me poezi, nuk ka kurrfarë nevoje për parathënie. Para disa ditësh më ra në dorë një vëllim poetik. Ajo që më bëri përshtypje në kopertinën e librit (të cilit nuk ia mbaj mend titullin), ishte fakti që qe shkruar me germa të mëdha, sa gjysma e kopertinës “Parathënie nga Dritëro Agolli”. Emri i autorit (të cilin nuk e mbaj mend), qe shkruar me germa “mikroskopike” lart në një cep të kopertinës.

E lexova parathënien e Dritëroit dhe menjëherë e kuptova, se qe parathënie për një mik që i kish zënë derën e nuk ia prishte dot. Parathënia në fjalë, kishte plot fjalë të bukura, por nuk thoshte asgjë. Në çast e kuptova se kishim të bënim me një libër të dobët dhe u binda për këtë kur lexova katër apo pesë poezi. Karremi për të lexuar atë libër qe parathënia e Dritëroit, por ajo nuk i kish shtuar asnjë vlerë minimale atij libri.

Dhe unë e kam mik e shok autorin e librit “Tingulli i heshtjes”, por jam në pozita komode, pasi nuk kam nevojë të sforcohem, se poezitë janë të bukura dhe shumë të bukura. Ardi Omeri vjen te ky libër i ri më i pjekur, më i sigurt, më poetik, më melodioz, më i qartë në misionin e tij fisnik.

“Tingulli i heshtjes” i Ardi Omerit është një heshtje që flet, një heshtje gjithë muzikë, si qetësia sublime e detit para stuhisë. “Tingulli i heshtjes” është një sprovë e sukseshme në harmonizimin e klasikes me modernen.

Si i tillë ai është tërheqës, si për dashamirësit e vargut klasik, ashtu edhe për dashamirësit e vargut modern. Nuk dua të zbuloj asnjë kuriozitet dhe të shuaj asnjë kureshtje, por mund të zbuloj një sekret të vogël. Libri flet njëqind për qind për dashurinë, për të gjitha llojet e dashurive. Idea e poetit është se dashuria është kudo, por prapë nuk mjafton. Se dashuria s’ka kufij, nuk mbaron, por prapë nuk mjafton. Sot ju nuk keni në dorë thjesht një libër, por një kartolinë të bukur dashurie, nga poeti më shumë se i talentuar Ardi Omeri.

Tingulli i Heshtjes

EPIGRAMË

Nuk di sa zgjat lumturia,
s’di as çfarë ndodh përtej saj.
Por, s’ka më të bukur se dashuria,
dhe lumturia nuk është faj…
^
Ti je një planet tjetër
dhe unë jam si një i huaj në jetën tënde!
Por…
Unë jam dhurata më e mirë
që mund të të bënte Zoti.
Ndërsa Ti,
ti je ëndrra ime.
Je ajo shpresë,
që me ankth më mbajti gjallë deri tani…
&
Ajo dashuron si një e çmendur,
dhe mua më tremb kjo marrëzi.
Ajo është mrekullisht e çmendur,
hyjnisht e dlirë si një fëmijë.
Është e lumtur për çmendurinë e saj,
ajo dashuron, nuk ka faj.
&
S’di ç’emër të të vë,
s’di as si të të quaj!
Më djeg si një zjarr
frikë kam të të mbaj
frikë kam të të shuaj…
&

Mos shiko ç’shenjë është e dashura,
as tek yjet dhe as në horoskop.
Kur ka lindur me letër me “vrimë”,
s’ka ç’t’i bëjë as i madhi Zot.
&
Dashuria më e bukur,
është në trurin e bukur të një femre,
në buzëqeshjen e mençurisë së saj.
Nëse dashuroheni me një të tillë,
kurrë mos u ndieni në faj.
&
Gruan, për ta kuptuar sa vlen,
Peshojini burrin që ka në krah.
Sepse Gruaja jep jetë,
dhe nuk vlerësohet me kilogram.
&
SHIJA E LOTIT
Kam përpara një gotë Whisky,
Kam përpara dhe një fotografi…
Kam një letër dhe një penë,
Po shkruaj për Whyskin dhe për Ty,
S’di kush më dehu nga Ju të dy!?

K.H.