Prej 3 ditësh po mbahet edicioni i pestë i Festivalit të Këngëve Korale në Durrës, një festival i cili angazhon masivisht fëmijët e shkollave 9-vjeçare.

Teksa sot jemi në ditën e tretë dhe të fundit, drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës, Avni Çuni, thotë për “DurrësLajm” se janë paraqitur 30 shkolla të bashkisë së Durrësit që kanë konkurruar me njëra-tjetrën dhe në finalen e sotme do të shpallet dhe kori më i mirë që do të marrë kupën e 75-vjetorit të Çlirimit.

Organizatori Arian Plaku, tha se festivali vjen në kuadër të festës së 14 Nëntorit, 75-vjetorit të Çlirimit të Durrësit. Vlerësimi i shkollave do të bëhet nga një juri profesionale, e ngritur nga përfaqësues të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”. 

Repertori i këngëve janë fokusuar në këngë patriotike e partizane, këngë për Shqipërine dhe festave të flamurit, ndërsa organizimi i kësaj sipërmarrjerje kulturore, që po kthehet në një traditë të bukur për qytetin bregdetar, bëhet nga QKF në bashkëpunim me Zyrën Vendore Arsimore dhe bashkinë e Durrësit.

Ideja dhe drejtimi i festivalit bëhet nga përgjegjësi i sektorit të veprimtarive masive në QKF, Arian Plaku.

S.L.