Jeta kulturore në Durrës nisi në muajin nëntor me një shfaqje që u prit mjaft mirë nga publiku, saqë do të vijë edhe këtë fundjavë për publikun.

Komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” e shfaqur në datat 1, 2 dhe 3 nëntor, shërbeu si një ogur i mirë për këtë muaj, që premton evente të shumta kulturore, meqë njihet edhe si muaji i festave kombëtare. Komedia do të vijë për publikun edhe të premten dhe të shtunën (8 dhe 9 nëntor) e kësaj jave, në orën 18.00.

Ndërkohë, data 4 nëntor i ishte dedikuar festivalit të përvitshëm Dance Meeting Albania, të koreografit Gjergj Prevazi.

Pasditja e së mërkurës, 7 nëntor, do t’i rezervohet filmit dokumentar “Rikthim në Lajpcig” për legjendën e portës shqiptare, të madhin Sulejman Maliqati, i njohur me nofkën “Macja e zezë”. Filmi dokumentar është realizuar nga regjisori Ylli Pepo.

Në datat 11, 12 dhe 14 nëntor, kori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës do të japë koncert në sheshin para pallatit të kulturës me rastin e festave të nëntorit.

Në datat 16-17 nëntor vjen monodrama ““Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit, e interpretuar nga aktori i trupës së Durrësit, Gjergj Doçi.

Në 20 nëntor rikthehet “Dance Meeting Albania”, ndërsa datat 21 dhe 22 nëntor sjellin në Durrës një nga aktoret më të mira shqiptare, Olta Daku, e cila vjen me shfaqjen “Shirli Valentina”,  që shfaqet në qytetin bregdetar për të tretin vit rradhazi.

Pas “Shirli Valentinës”, një tjetër vepër teatrale pritet të vijë në Durrës me regji të Kiço Londos, në datat 23 dhe 24 nëntor. Kjo do të jetë vepra e katërt teatrale që do të vijë për artdashësit durrsakë brenda një muaji, duke kënaqur preferencat e të dashuruarve pas teatrit, që në Durrës nuk janë të pakët dhe këtë e tregon salla e mbushur plot në të gjitha shfaqjet e vëna në skenë gjatë javëve të fundit.

Ndërkohë, ditët e fundit të muajit do të jenë të mbushura plot aktivitete kulturore kushtuar festave të 26, 28 dhe 29 nëntorit, çlirimit të Durrësit dhe ¬Pavarësisë e 75-çlirimit të vendit.

Në datë 26 nëntor, banda e qytetit dhe më pas nxënësit e shkollës së muzikës “Jan Kukuzeli” do të japin koncert me pjesë muzikore kushtuar kësaj date të rëndësishme.

Në datë 28 nëntor, Orkestra e Harqeve, nën drejtirmin e dirigjentit Petrika Afezolli do të udhëtojë drejt Korçës për të dhënë një koncert në qytetin e serenatave.

Ndërkohë, në datë 29 nëntor do të ketë një sërë aktivitetesh të organizuara me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të vendit.