Edhe pse është vjeshtë, Washingtoni është përballur me një valë të pazakontë nxehtësie e cila ka bërë që si kryeqyteti amerikan, ashtu dhe zona të tëra jugore dhe lindore të Shteteve të Bashkuara, të ndihen si në ditët e verës.
Pasditen e së mërkurës, termometri në Washington shënoi 36 Celsius, duke kapërcyer rekordin e deritanishëm prej 35,5 gradësh, të vendosur tetorin e vitit 1941.
Sipas shërbimit kombëtar meteorologjik, një e katërta e vendit, mund të përballet me temperatura mbi 32 gradë Celsius.
Kjo ka qenë një javë e vështirë për disa shkolla në Ohio dhe Maryland, të cilat nuk kanë ajër të kondicionuar e janë detyruar t'i dërgojnë fëmijët në shtëpi herët ose në disa raste, edhe ta pezullojnë mësimin.
Temperatura mbi normalen janë raportuar në një sërë qytetesh, përfshirë Cleveland, Ohio, New Orleans, Luiziana dhe Siracuse, New York, njoftoi Weather Channel. Atlanta mund të thyejë rekordin e saj të tetorit me 35 gradë Celsius.
Por gjatë fundjavës moti pritet të ndryshojë me avancimin e një fronti të ftohtë.





