Edicioni i 14-të i Festivalit ndërkombëtar të dancit modern dhe kontemporan do të nisë nesër në mbrëmje, sipas traditës, në teatrin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit.

Drejtori artistik i Festivalit, Gjergj Prevazi tha se tashmë përveç qytetit ku nisi ky Festival në vitin 2006, shfaqjet e tij kanë një hartë shumë më të madhe edhe në qytete të tjerë të vendit dhe Kosovës.

Sipas Prevazit gjatë këtij edicioni do të ketë 13 shfaqje në skenat e qyteteve të Durrësit, Tiranës, Korçës, Shkodrës, si dhe në teatrin "Dodona" të Prishtinës.

"Festivali nis nesër në Durrës me shfaqjen "I always have a handkerchief in my pocket" nga trupa e kompanisë së Dancit shqiptar, dhe do të përfundojë më 19 nëntor me shfaqjen "Unknown".

Përveç trupave nga vendi ynë në edicionin e 14-të të Festivalit do të performojnë edhe ansamble të dancit modern dhe kontemporan nga Italia, Hungaria, Austria dhe Franca.

Skena shqiptare është pasuruar vitet e fundit me zhanrin e ri të Dance Theatër dhe artistët tanë po fitojnë një përvojë gjithnjë e më të madhe në këtë drejtim"- tha Gjergj Prevazi.

Festivali i dancit që organizohet nga shoqata "Bukuroshja e Durrësit" ka nisur në vitin 2006 dhe në skenat e teatrove të ndryshme janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Hollanda, Turqia, Italia, Kanadaja, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj..

G.K.