Ditën e sotme janë zhvilluar në sheshin “Liria” aktivitete me rastin e “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” e cila është pjesë e Ditëve Europiane të Trashëgimisë (24-29 Shtator).
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako. Është bërë tashmë traditë që DRKK Durrës në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale të organizojë aktivitete të ndryshme gjithëpërfshirëse me rastin e kësaj dite. Tema e caktuar këtë vit nga Këshilli i Europës për Ditët Europiane të Trashëgimisë është " Art dhe Argëtim".
Ndaj në sheshin përpara Bashkisë është zhvilluar një performancë shoë ku të rinjtë e talentuar nga Durrësi kanë dhënë një shfaqje përpara qytetarëve me këngë e valle si dhe duke paraqitur kostumet popullore tradicionale të qytetit bregdetar, në një aktivitet që ka shpalosur jo vetëm talentin e tyre por edhe shumë elementë të trashëgimisë sonë kulturore.
"Dita kombëtare e trashëgimisë kulturore na përket të gjithëve dhe kjo ditë është gjithëpërfshirëse. Falenderoj Drejtorinë Arsimore të Durrësit për mbështetjen e këtij aktiviteti dhe promovimin që i bën fëmijëve të talentuar. Ne si bashki në bashkëpunim me institucionet përkatëse do të zhvillojmë shumë aktivitete në vazhdimësi për të promovuar pikërisht të rinjtë e talentuar të qytetit, jo vetëm për ti evidentuar por edhe për tu krenuar me ta, sepse fëmijët janë e ardhmja e qytetit dhe e vendit tonë. Unë ftoj të gjithë qytetarët të jemi së bashku në ditë vështira por edhe në ditë të bukura si kjo sepse pas çdo vështirësie ka edhe ditë që na zbukurojnë jetën tonë.", tha kryebashkiakja Sako.