Në prag të vënies në skenë të komedisë “Revizori”, regjisorja Driada Dervishi dhe trupa e aktorëve të teatrit “Aleksandër Moisiu” kanë dhënë një konferencë për shtyp.

Shfaqja, e cila është një rivënie në skenë për teatrin e Durrësit, vjen me një konceptim të ri nga regjisorja Dervishi, që me ndryshimet në tekst synon ta përshtasë veprën me aktualitetin shqiptar të muajve të fundit.  

Komedia satirike e Nikolaj Gogolit, e shkruar në vitin 1936, vjen në versionin e Dervishit me një revizor që shkon për të inspektuar në një qytet me administratë të korruptuar, me funksionarë të lartë të dalë në përgjime, me njerëz të futur në burg pas protestave.

Sipas Dervishit, teatri nuk është për të dhënë mesazhe, por “Brehti ka një shprehje shumë të bukur: Ka shumë mënyra për të thënë të vërtetën, duke mos e thënë atë”.   

Dhe pikërisht ky është dhe ajo çfarë synohet të përcillet me këtë komedi satirike; kushdo pasi ta ndjekë shfaqjen live të reflektojë për realitetin ku jetojmë të gjithë bashkë.

Në të njëjtën linjë me regjisoren Dervishi u shprehën edhe dy nga aktorët kryesorë të komedisë, Gentian Zenelaj dhe Besmir Bitraku. “Kjo e jona është një përrallë, që ne tregojmë dhe shpresoj që gjithsecili nga pak, të gjejë veten përpara faktit për të reaguar. Ai që është i gatshëm, të reagojë”. 

Një risi në teatrin e Durrësit, që u nënvizua nga regjisorja dhe aktorët është që pas vendosjes së sistemit ngrohës-ftohës, më në fund trupa dhe spektatorët, do të mund t’i shijojë shfaqjet në kushte optimale.

Shfaqja “Revizori” vjen në teatrin e Durrësit pas një periudhe të gjatë pa vepra të vëna në skenë. Premiera e shfaqjes do të jetë ditën e premte në orën 19.00, ndërkohë që publiku mund ta ndjekë në të njëjtën orë edhe të shtunën e të dielën.

Trupa e aktorëve të komedisë “Revizori”: Gentian Zenelaj, Amos Muji Zaharia, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Besmir Bitraku, Xhejni Fama, Kastriot Shehi, Marvin Tafaj, Gjergj Doçi, Jaho Guma, Erjon Hodo.

M.B.