Një tërmet me magnitudë 5.8 tronditi Pakistanin lindor duke shkaktuar të paktën 4 të vdekur dhe plagosur 70 të tjerë. Epiqendra e tërmetit ishte afër qytetit Mirpur bëjnë të ditur zyrtarët. 

Fotot që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale tregojnë çarje të mëdha të rrugëve dhe shtëpi të shkatërruara. Tërmeti ishte me thellësi 10 km thotë shefi i meteorologjisë në Pakistan, Muhammad Riaz për AFP.

Ushtria e Pakistanit informoi se në vendngjarje kanë mbërritur ndihma mjekësore. Pas tërmetit të së martës lëkundje janë ndjerë edhe në kryeqytetin e Pakistanit dhe të Indisë.

Kujtojmë që të shtunën Shqipëria u trondit nga një tërmet me magnitudë 5.8 gradë të shkallës Richter dhe intensitet 7.5 ballë. Ai u pasua nga të paktën 400 pasgoditje me një intensitet më të ulët. Kryesisht në Tiranë e Durrës pati qindra banesa të dëmtuara, dhjetra të lënduar dhe fatmirësisht nuk pati viktima.