Nga Gëzim Kabashi
Poeti Avni Mulaj u përkujtua sot në Durrës nga miq, shokë e familjarë, në një veprimtari të organizuar nga biblioteka e qytetit dhe nga shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve të Tropojës.
Me këtë rast u promovua edhe libri “Njeriu në Penstation”, një përmbledhje me poezitë më të mira të autorit Mulaj që nga viti 1971, kur botoi vëllimin e parë poetik “Valbona e kaltër”.
“Ky volum, i përngjet një treni të ngarkuar me të gjitha, si një përzierje kohësh, vizionesh, kulturash dhe termash” – shkruan në hyrje të librit Luljeta Lleshanaku. Ndërsa shkrimtari Zija Çela nënvizon se “Avni Mulaj u kujdes të çlirohej nga prangat e padukshme, ato më shtërngueset për krijimtarinë, prangat e autoçensurës”.
Gjatë takimit përkujtimor drejtuar nga Teuta Dhima, të pranishmit sollën vlerësimet për poetin me një krijimtari që nis në vendlindje, në Tropojë dhe plotësohet me 10 libra në Las Vegas, atje ku jetoi me familjen pas vitit 1998.
Avni Mulaj u lind në Tropojë në vitin 1947, dhe pas shkollës së mesme në Shkodër dhe asaj të lartë për Mercologji në Tiranë u vendos në Durrës, aty ku u njoh me gazetaren Teuta Shahini (Mulaj), krijoi familje dhe punoi për vite me radhë.
Shpend Topollaj, Kadri Tarelli, Fatmir Minguli, u ndalën gjatë në analizën e veprës poetike të autorit që nuk jeton më, ndërsa përkthyesi Pirro Dollani dhe poeti Bardhyl Agasi folën për miqësinë e bukur që dinte të falte poeti.
Bujar Kapexhiu e Mujë Buçpapaj, si dhe aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” kujtuan dramat “Gërsheti i luftrave” dhe “Sërish Galicët”, shkruar nga Avni Mulaj dhe vënë në skenë nga trupa e teatrit të Durrësit.
Një jetë plot sakrifica ajo e Avniut të ri, i cili shquhej si një nxënës dhe student me shumë pasione nga letërsia, te arkitektura e piktura.
Një sëmundje e rëndë e mundoi muajt e fundit, e më pas miku i tij i mirë në Las Vegas, Pirro Dollani, dha kumtin e rëndë: “Avniu mbaroi sot, e Enjte 4 Shkurt, 2010 ora 8 e mëngjesit. Mbaroi ashtu i qetë, pa u ankuar, pa bezdisur askënd. Pikërisht ashtu siç edhe jetoi çdo minutë të jetës së tij".
Shoqata “Durrësi” e nderoi poetin Avni Mulaj me titullin “Mirënjohja e qytetit”, titull që kryetarja e bashkisë, Valbona Sako dhe regjisori Gjergj Vlashi ia dorëzuan bashkëshortes së tij Teuta Mulaj.
"Nderojmë një personalitet me kontribut të rëndësishëm në art dhe kulturë i cili është një nga vlerat e qytetit tonë e që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve me krijimtarinë e tij" – ka deklaruar në fjalën e saj kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako.
"Të gjitha falenderimet e qytetit shkojnë sot, për ju dhe familjen tuaj", – ju drejtua kryebashkiakja, bashkëshortes së Avni Mulaj, Teutës, e cila është një emër i nderuar dhe i respektuar për kontributin e dhënë ndër vite për gazetarinë, artin dhe kulturën në qytet.