Saksofoni do të jetë për herë të parë pjesë e programeve mësimore në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i shkollës, Orges Mema, i cili ka shtuar se tashmë kanë filluar regjistrimet në degën e saksit për të gjithë nxënësit që kanë përfunduar shkollën 9-vjeçare.
Prej disa dekadash, qyteti i Durrësit është dalluar për instrumentistët e frymës, ndër të cilët më i shquari mbetet Dash Hoxha. Artisti durrsak, që aktualisht jeton në SHBA, në fillim të viteve 1970 krijoi mitin e saksofonistit të Festivaleve në RTSH e të skenave të çdo lloji.
Gentian Salillari është durrsaku tjetër i mirënjohur si saksofonist i spektakleve televizive.
Mësuesi i instrumentit të saksit në shkollën “Jan Kukuzeli” do të jetë Pirro Sota, për 31 vjet më radhë anëtar i Orkestrës Sinfonike të RTSH-së.
G.K.