Autoritetet shëndetësore spanjolle të Andaluzisë kanë konfirmuar vdekjen e tretë në lidhje me epideminë nga Listeria, prej së cilës janë prekur deri tani 203 raste të konfirmuara, 66 të mundshme dhe 33 të dyshuara.
Viktima e re e shkaktuar nga Listeria është një grua 74-vjeçare, e cila humbi jetën në spitalin ‘Virgin del Rocio’ në Seville, ku janë raportuar shumica e infeksioneve.
Origjina e zinxhirit të infeksioneve, më e rëndësishmja në historinë e Spanjës, është identifikuar se e ka prejardhjen nga mishi i ndotur i markës "La Mechà", prodhuar nga kompania "Magrudis", një kompani me qendër në Seville, mishi i së cilës është tërhequr nga tregu.
*Listeria është një infeksion që transmetohet nga bakteri Listeria monocytogenes, i cili mund të jetë i pranishëm në qumështin e papërpunuar dhe nënproduktet e qumështit, si dhe në ushqime të ftohta të gatshme, të tilla si sanduiçe dhe mishi i përpunuar. Në shumicën e personave të prekur, Listeria shkakton simptoma të buta, por mund të paraqesë rrezik serioz për gratë shtatzëna dhe të palindurit, si dhe për njerëzit e moshuar apo ata me mbrojtje të dobët imune.





