Skulptori i njohur durrsak Qazim Kërtusha vjen me një vepër të re: portret tribut, në 10-vjetorin e vdekjes, kushtuar idhullit dhe drejtorit të tij, “babait” të arkeologjisë dhe muzeologjisë në Durrës Vangjel Toçi (1920-1999).
Këtë vepër Kërtusha i ka dhuruar muzeut arkeologjik. Qazimi ka punuar në muze si restaurues nën drejtimin e Toçit.
Ka një fakt kureshtar: pas “reformës”së Institutit të Arkeologjisë në vitet 2006-2014, Kërtusha mbeti 8 vjet pa punë, për arsyen e thjeshtë se, sikur thotë skulptori, ishte “vangjelist” (ithtar i Vangjel Toçit).
Zilia e njerëzve të vegjël ndaj figurës së madhe të arkeologut dhe muzeologut vazhdon dhe pas vdekjes. Qazim Kërtusha e ka trajtuar figurën e Toçit me flokë të shpupuritur dhe anash ka skalitur një listë emrash ilirë, që e kanë shndërruar arkeologun dhe si një “nun” i mbi një milion shqiptarëve në të gjitha trojet etnike.
Qazimi më tha se veprën do ta derdhë në bronz me paratë e veta të pensionit modest dhe dëshiron ta vendosë afër amfiteatrit.
Th.M.