Mauro Ikardi tashmë është jashtë çdo plani të Interit. Ardhja e Lukakut i mbylli çdo dritare shpresave të argjentinasit, i cili tashmë duhet të gjejë ekip tjetër.Sulmuesi kërkon të shkojë vetëm te Juventusi dhe nëse nuk ndodh kjo, ai do të qëndrojë në “burgun” e Interit, deri sa avokati i tij të fitojë luftën ligjore.
Por “Il Messagero”, raporton se Roma ka një ofertë për Interin, e cila dëgjohet interesante. Verdhekuqtë janë gati të japin 40 milionë euro plus kartonin e Xhekos për të transferuar Ikardin në Romë.Për sulmuesin klubi i kryeqytetit ka gati një rrogë prej 7 milionë eurosh përfshirë dhe bonuset.
Juventusi nga ana tjetër është në pritje dhe “luan” me një strategji të sigurt në pamje të parë, duke ditur shumë mirë dëshirën e Ikardit.Merkatoja ka edhe tre javë kohë deri në mbyllje dhe pritet me interes, se cila do të jetë e ardhmja e lojtarit.





