Orkestra e Bienales “Netët e Muzikës Klasike” ka luajtur mbrëmjen e kaluar për herë të parë në publik veprat e tetë autorëve durrsakë dhe jo vetëm.
Para fillimit të koncertit në një ceremoni simbolike u shpall fituesja e Konkursit të Talenteve të rinj, i cili u zhvillua të premten paradite. Pianistja 13-vje[are Klaudia Gjini, do të jetë mysafire e bashkëshortëve Rediana dhe Florian Vlashi në Spanjë, të cilët do të mundësojnë interpretimin si soliste me një orkestër spanjolle.
Nata kushtuar muzikës shqiptare, e dyta në edicionin e nëntë të Bienales, solli për dëgjuesit tetë autorë të moshave dhe përvojave të ndryshme, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë në Shqipëri.
Dirigjenti Petrika Afezolli tha për spektatorët se veprat janë porositur nga organizatorët e Bienales si dëshmi e krijimtarisë së begatë të autorëve vendas.
Më pas orkestra e Bienales nën drejtimin e Afezollit interpretoi pjesët “Fluturim” nga Andi Bajraktari, “Humoreska” nnga Ylli Ramziti dhe “Balladë për qytetin tim” nga Maksim Shehu. Kompozitori Red Radoja interpretoi në piano veprën e tij “Për gjah me dukën e Lorenës”.
“My beautiful Morea” nga Thoma Simaku, “For little Lira” e Endri Sinës, Vals” nga Haig Zacharian dhe “Meditim e scherzo” nga Edmond Buharaja bënin pjesë në grupin e dytë të veprave të kompozuara nga autorë durrsakë dhe kryeqytetas, që u mirëpritën nga publiku i pranishëm në sallën e hotel “Adriatikut” ku po zhvillohet ky edicion i veprimtarisë.
Pas koncertit presidenti i organizatës së somelierëve shqiptarë Dashamir Elezi prezantoi verërat e radhës si temë e Bienales “Muzika dhe Vena, një harmoni e përkyer”. Të pranishmit shijuan verën “Shesh i bardhë” nga kantinat e kodrave pranë Durrësit, “Pamid” nga zona e Pogradecit, si dhe verën “Kallmet” nga veriperëndimi i Shqipërisë.
Nga Gëzim Kabashi